Çaktivizohet bomba 250 kg në Selanik, evakuohen 50 mijë banorë

06/02/2017 00:00

Organet greke të pushtetit lokal në Selanik, në bashkëpunim me policinë dhe forcat e ushtrisë, kanë filluar të marrin masa për zbatimin e një plani evakuimi të 50. 000 banorëve nga tre bashki në pjesën perëndimore të qytetit ditën e diel, për t’u dhënë mundësi specialistëve të çaktivizojnë një bombë të Luftës së Dytë Botërore.

Bomba në fjalë është gjetur në një thellësi prej pesë metrosh gjatë punimeve për zgjerimin e një gropë të depozitës së një pike karburanti në rrugën “Monastiriu”, në zonën Kordelio në dalje të qytetit.

Siç theksojnë specialistët për fat të mirë eskavatori nuk e ka prekur bombën për katër cm, përndryshe pasojat e shpërthimit do të mund të ishin të paparashikueshme. Bomba vlerësohet se ka një peshë prej 250 kg dhe ka ende siguresën në pjesën e pasme të saj, por për arsye sigurie gjatë caktivizimit dhe transportimit të saj në një bazë ushtarake, do të duhet të kryhet evakuimi i banorëve, që konsiderohet më i madhi që është bërë ndonjëherë në Greqi.

Organet e pushtetit lokal dhe policia kanë filluar të njoftojnë qytetarët e tre bashkive të zonës që ndodhen në një rreze prej 2 km larg vendit ku ndodhet bomba me anë të mediave, por edhe duke shkuar në çdo shtëpi që të largohen ditën e diel për disa orë nga shtëpitë e tyre, me anë të mjeteve të shërbimit urban që do të ketë në dispozicion prefektura e Selanikut. Gjithashtu do të hapen edhe palestra dhe vende të posaçme për të moshuarit dhe personat në nevojë.

Top Channel