Greva e banorëve të Zharrës, PD: Qeveria i braktisi

06/02/2017 00:00

Kryefamiljarët e fshatit Zharrës të Patosit kanë rinisur grevën e urisë prej 4 ditësh. Banesat e tyre janë pothuajse të pabanueshme dhe në rrezik për t’u shembur për shkak të shpërthimeve në zonën afër me fushat naftëmbajtëse.

Atyre iu premtua një proces vlerësues për dëmet materiale dhe dëmshpërblim deri më datë 31 Janar, por asgjë nuk ndodhi. Sekretari për marrëdhëniet me qytetarin në PD, Ervin Salianji vizitoi grevistët dhe shumë prej familjeve që po jetojnë me frikë në shtëpitë e tyre, në prag të shembjes.

“Mezi e kam ndërtuar këtë shtëpi dhe kam rritur fëmijët këtu me vështirësi të shumta. Presim nga Edi Rama. Atë e kemi zgjedhur, por nëse ai ka shitur Shqipërinë, e di ai. Ai duhet të interesohet edhe për familjet tona”, tha një prej banoreve.

Nga ana e tij, Salianji shprehu mbështetjen për grevistët dhe kërkesën e tyre të drejtë për t’u dëmshpërblyer, ose për të lëvizur diku tjetër me ndihmën e qeverisë.

Ai e cilësoi të papranueshëm faktin që pasuritë natyrorë po shfrytëzohen, ndërsa banorët që po dëmtohen nga ky shfrytëzim po neglizohen. Salianji ftoi të gjithë banorët dhe qytetarët për të protestuar së bashku më 18 shkurt përpara Kryeministrisë.

“Duke para këtë arrogancë të qeverisë, ftojmë qytetarët që në datën 18 shkurt të dalin në protestë përpara Kryeministrisë edhe për t’i thënë “ndal” prepotencës dhe arrogancës dhe për të sjellë një qeveri e cila do jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo disa oligarkëve të lidhur me qeverinë”, tha Salianji.

Top Channel