Tirana paguan Bulkun, akordi eviton penalizimin tjetër

06/02/2017 00:00

Skuadra e Tiranës i ka shpëtuar të tjera sanksioneve që do të vinin nga situata e rënduar financiare pasi formacioni bardheblu ka arritur marrëveshje me ish-futbollistin Ervin Bulku për pagesat e prapambetura.

Nga 120 mijë euro që ishte borxhi i ekipit kryeqytetas, ish-lojtari i kombëtares kërkoi vetëm 90 mijë duke arritur një marrëveshje që eviton penalizime të mëtejshme të Tiranës.

Skuadra kryeqytetase u penalizua në merkaton e dimrit për të mos bërë asnjë lëvizje për shkak të borxheve që rrezikuan edhe heqjen e pikëve, si dhe përjashtimin nga kupat europiane. U shty ndërkohë vendimi për çështjen që trajneri Ernest Gjoka ka ngritur ndaj ish ekipit të tij Flamurtarit për një borxh prej 40 mijë eurosh. Nuk u pranua rishqyrtimi i çështjes për konflikt interesi, për ndërprerjen e kontratës në 2014 nga ekipi vlonjat.

Ndërkohë me 15 mars do te mblidhet Asambleja Vjetore e zakonshme e FSHF-së. Kështu vendosi Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e kësaj të hëne, ndërsa u ngarkua Sekretariati për përgatitjen e gjithë materialeve për të gjithë anëtarët në Asamblenë e 15 marsit.

Ndërkaq, anëtarët e Komitetit kanë miratuar edhe Projektin e zyrave të reja të FSHF i paraqitur për diskutim dhe aprovim ne Komitet. Ky projekt shumë shpejt do të bëhet publik në një kohë që anëtarët e KE-së u njohën tërësisht me të, për godinën dhe zyrat e ardhshme të FSHF-së.

Top Channel