Celina heq banderolën pro serbe, Twente nis hetimet

06/02/2017 00:00

Bersant Celina nuk ishte as në fushë dhe as në stol në ndeshjen e Twentes kundër Feynoord, por ai sërish u bë protagonist në sfidën e humbur nga vendasit me rezultatin 0-2.

Mesfushori i Kosovës e ka ndjekur nga shkallët e stadiumit takimin dhe jo vetëm atë. Në një moment, një grup tifozësh të Twentes kanë shpalosur në shkallët e impiantit sportiv një banderolë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Celina ka ndërhyrë dhe ka kërkuar heqjen e banderolës dhe menjëherë më pas, shërbimet e sigurisë në stadium kanë bërë të mundur palosjen e saj.

Vetë mesfushori ka reaguar përmes rrjeteve sociale ku ka kërkuar për rastin në fjalë.

“Mos më keqkuptoni! Unë i dua fansat tanë. Kemi fansat më të mirë në këtë vend, por kam zero respekt për individët që bënë këtë veprim”, shkruan ai.

Rregullorja e UEFA-s ndalon rreptësisht shpalosjen e banderolave politike në shkallët e stadiumit dhe ndëshkimet për këtë janë gjoba të majme. FC Twente ndoshta mund t’i shpëtojë një gjobe të tillë, por vetë klubi ka reaguar duke thënë se ka nisur një hetim për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit e shpalosjes së banderolës.

Top Channel