Hetimi për CEZ, dështon sërish dëshmia e Shkëlzen Berishës

06/02/2017 00:00

Ka dështuar për të dytën herë dëshmia e Shkëlzen Berishës në komisionin hetimor për privatizimin e OST-së tek kompania çeke CEZ, i mbledhur sërish pasditen e kësaj të hëne.

Shkak është bërë sërish refuzimi i Berishës për të bërë betimin përpara kryetarit Balla, i dënuar për shpifje në dëm të djalit të ish-kryeministrit.

I Vetëdijshëm për këtë situatë, Balla ia ka lënë fjalën deputetit Ulsi Manja për të lexuar formulën e betimit, veprim ky që ka sjellë reagimin e Berishës.

Shkëlzen Berisha: Zoti Manja, kush është kryetari, ju apo i dënuari?

Pyetja e dëshmitarit ka sjellë reagimin e kryetarit Balla, i cili është pasuar nga përplasje të tjera mes tij, nënkryetarit demokrat të komisionit dhe anëtarëve.

Taulant Balla: Këtë proces hetimor e drejtoj unë. Histori kur ti cakton prokurorin, gjyqtarin dhe bën betimin kur do ti nuk ka më.

Arben Ristani: Zotëria (Shkëlzen Berisha) ka paraqitur një kërkesë për dorëheqjen tuaj…

Taulant Balla: Është trajtuar.

Arben Ristani: Jo, është trajtuar kërkesa ime.

Taulant Balla: Ka të njëjtin objekt…

Arben Ristani: Ti nuk mund të votosh për veten tënde.

Nga anëtarët e komisionit, deputeti socialist Pjerin Ndreu është shprehur në favor të shqyrtimit të kërkesës së dëshmitarit, në mënyrë që, siç tha ai, ajo të mos jetë më shkasë për përleshje verbale në komision. Ndërsa demokrati Ridvan Bode, në fjalën e tij ka akuzuar Ballën se në këtë proces është një figurë tërësisht e kompromentuar, për faktin se në daljet e tij në media flet për prova e fakte, ndërkohë që në komision nuk është paraqitur asnjë prej tyre.

Pjerin Ndreu: Këtu jemi për të sqaruar, jo për të akuzuar. Mqs ka një kërkesë, le t’ia lëmë ta shqyrtojë Kryesia e Kuvendit, mqs është bërë shkak për përleshje apo për kor nga deputetët matanë se kush është më i devotshëm ndaj zotit dëshmitar.

Ridvan Bode: Ky komision është kthyer në qesharak sepse ju e keni katandisur këtë komision në këtë gjendje. Zoti Balla, ju nuk lini dritare pa dalë duke thënë se në këtë komision kemi prova e fakte pa fund. Zoti Balla ju keni dy probleme: një problem me të vërtetën dhe ky komision përpiqet të mbledhë dy fakte më shumë. Ndërsa në raport me personin dhe me çështjen ju jeni provuar që jeni mashtrues dhe kjo nuk e ndihmon procesin. Ju keni një problem në raport me ligjin. Ka një vendim gjykate që thotë se ju duhet të dëmshpërbleni dëshmitarin. Ju thoni se nuk pyesni për atë vendim. Kështu që interesi juaj shkon përtej interesit publik. Ju keni arritur në përfundime pa përfunduar punën ky komision. Keni pretenduar për të vërtetën pa dëgjuar dëshmitarët. Ju jeni në funksion të ngritjes së një tymnaje për të mbuluar aferën e prishjes së kontratës me CEZ, që kushtoi 600 milionë euro.

Shkëlzen Berisha: Nuk betohem para Ballës. Komisioni, teatër

Në përfundim të seancës, në një prononcim për mediat, Shkëlzen Berisha ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk mund të betohet përpara një personi të dënuar për shpifje.

“Për t’i dhënë përgjigjen këtij shpifësi kam ngritur padi penale. Nuk pranoj të jap dëshminë para një personi që është në konflikt interesi. Kjo që po ndodh në këtë komision është një teatër politik, ku nuk zbatohen procedurat dhe rregullat”, ka thënë Berisha.

Balla: Strategji për bllokimin e punës së komisionit

Ndërsa Balla ka akuzuar ish-kryeministrin Berisha, të birin dhe të dyshuarin si sekser Nuel Kalaj për një strategji për të penguar punën e komisionit.

“Ne do të ndjekim rrugët ligjore për të ndjekur penalisht çdo dëshmitar. Këta janë mësuar të caktojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Kemi të bëjmë me një strategji për të bllokuar punën e komisionit. Shkëlzen Berisha, Sali Berisha dhe Nuel Kalaj po ndjekin këtë strategji. Kemi një sinkronizim të 3 dëshmitarëve për të mos dhënë dëshminë në këtë komision”, ka thënë Balla.

***

Në fillim të seancës, nënkryetari i komisionit Arben Ristani deklaroi se, dëshmia e Shkëlzen Berishës është e papërshtatshme përsa kohë në komision nuk është paraqitur asnjë provë dhe fakt, por vetëm dokumenta të pakonfirmuara të pasuara nga insinuata.

Gjithashtu, Ristani përsëriti kërkesën për largimin e Ballës me argumentin e dënimit të tij për shpifje në dëm të Shkëlzen Berishës. Nga ana e tij, Balla u përgjigj duke deklaruar se drejtimi i komisionit prej tij është mëse i rregullt, duke paraqitur edhe precedentë kur PD ishte në pushtet.

Arben Ristani: E gjitha çfarë keni ju është një hipotezë, e cila nuk është e konfirmuar me provat e duhura. Argumentet tuaja nuk qëndrojnë. Duhen paraqitur provat që të vazhdojë punën komisioni. Sa për dëshmitarin, është një konflikt i pastër interesi mes jush dhe atij. Edhe ligji për konfliktin e interesit dhe kodi i procedurës penale e ndalon këtë. Gjithashtu, ky komision nuk merr persona si të pandehur. Jeni dënuar për shpifje ndaj dëshmitarit, i keni borxh ndaj tij dhe ndërkohë nuk pranoni të hiqni dorë nga drejtimi i kësaj seance. Që të marrim dëshminë duhet të jepni dorëheqjen.

Taulant Balla: Këtë cështje ky komision e ka ezauruar. I jemi drejtuar nënkryetarit të Kuvendit, që pas konsultimit me këshillin juridik ka kthyer përgjigje. Nëse doni, kemi edhe precedentin. Astrit Patozi drejtonte komisionin për shkarkimin e ish-kryeprokurorit Sollaku, kur kishte humbur 3 gjyqe ndaj tij për shpifje. Dhe komisioni ishte për theodhori sollakun. Ndërsa ne nuk kemi ngritur komision për Shkëlzen Berishën. Kështu që precedenti është. Ta bëjmë këtë, të shpresojmë që policia të gjejë dhe Nue Kalaj sepse neve na intereson ku shkoi ryshfeti.

Arben Ristani: Nëse ato 7 milionë euro janë të vërteta, ato i ka marrë Nuel Kalaj dhe t’i ske pse bën supozime. Sipas dokumentacionit që morët juve, dihet kush i dha ato para e kush i mori. Nëse bën insinuata të kujtoj se je i dënuar për shpifje nga Gjykata e Lartë. Përsa kohë prova është ende indicje, ne nuk mund të dalim në një përfundim. Në të tilla situata kryetari i komisionit nuk mund të dalë në media dhe të bëjë insinuata. Email-et e prura nga Romeo Karaj nuk janë të tijat, por janë të dy personave të tjerë që kanë komunikuar me njëri-tjetrin. Karaj s’ka pse t’i ketë. Nuk kemi asnjë garanci ligjore që këto dokumente janë origjinale. E vetmja mënyrë për ta ditur këtë është ta thotë dëshmitari.

Taulant Balla: Romeo Karaj është një prej avokatëve që ka përfaqësuar shqipërinë në arbitrazh. Dokumentacioni është menaxhuar në një proces gjyqësor ndërkombëtar dhe Karajt i është kujtuar se në rast të paraqitjes së provave e dëshmive të rreme mban përgjegjësi. Bëni kërkesë në prokurori për vërtetësinë e provave dhe ejani këtu. I kemi kërkuar kompanisë të sjellë këto kontrata dhe kërkojmë që dërguesi dhe pritësi të dëshmojnë. Por Nuel Kalaj Nuk vjen dhe del në media. Ne jemi ende në fazën e zhvillimit.

Balla shtoi se, ky komision nuk synon të bëjë një proces penal, por të administrojë provat, të cilat më pas do të dërgohen në prokurori.

Top Channel