Takimi BDI-LSDM, Arifi: Bisedime konstruktive, vendimi nga kryesia

06/02/2017 00:00

Pasi Nikolla Gruevski dështoi në krijimin e Qeverisë në Maqedoni dhe pasi Presidenti Ivanov nuk i ka dhënë mandatin LSDM-së, por do t’ja japë atë, partisë e cila arrin të sigurojë numrat për shumicën, BDI-ja dhe LSDM-ja kanë intensifikuar bisedimet orët e fundit.

Mesditën e së hënës, tre nënkryetarët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë takuar me homologët e tyre të LSDM-së.

Në përfundim të takimit, Teuta Arifi ka thënë se të dy partitë kanë paraqitur qëndrimet e tyre në tavolinë dhe e ka cilësuar një takim konstruktiv.

“Për ne, ajo që është e rëndësishme është se vendosëm në tryezë prioritetet që lidhen me platformën e partive politike shqiptare dhe pikat e panegociueshme: Gjuha shqipe, realizimi i reformave në drejtësi, integrimi në NATO dhe BE”, është shprehur Teuta Arifi.

Konstruktiv e ka cilësuar takimin dhe nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.

“Me BDI-në kemi biseduar se si shteti të dalë nga situata, e cila u imponua nga presidenti Gjorge Ivanov. Këto bisedime do të vazhdojnë, në trupat partiake, deri në takimin e ardhshëm, ku do të diskutohet për gjëra më konkrete”, u shpreh Radmilla Shekerinska, nënkryetare e LSDM-së.

Top Channel