Kosovë, s’ka unitet mes deputetëve për krijimin e ushtrisë

06/02/2017 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosin nëse do të zgjedhin opsionin e fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me kompetenca shtesë, apo do të synojnë të arrijnë kompromis me kolegët nga radhët e komunitetit serb për themelimin e Forcave të Armatosura.

Në pamundësi që të merret vendimi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës me anë të amendimit të Kushtetutës, disa deputetë, të prirë nga Daut Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kishin ndërmarrë një nismë që përmes rishikimit të ligjit aktual të fuqizohet me kompetenca shtesë Forca e Sigurisë së Kosovës.

Por edhe kjo nismë, ende pa dalë për debat në Kuvend, po shihet me skepticizëm nga disa deputetë të partive politike në pushtet, si PDK e LDK.

Anton Çuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, anëtar i Komisionit për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për “Radion Europa e Lirë” se çdo tendencë për ta transformuar FSK-në apo edhe për të ndryshuar detyrat e saj thelbësore duhet të bëhet nëpërmjet Kushtetutës dhe përmes ligjit.

Në anën tjetër, Zafir Berisha, deputet i partisë “Nisma për Kosovën” dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, konsideron se është e mundur që FSK-ja të ketë kompetenca shtesë edhe me ligjin për FSK-në. Ai ka kritikuar anëtarët e komisionit nga radhët e partive politike në pushtet, që nuk e kanë përkrahur deri në fund idenë që të diskutohet dhe të veprohet në këtë drejtim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitë së tij në Kosovës ka deklaruar se NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, kurse sa i takon transformimit ka deklaruar se “ajo është një çështje ligjore që duhet ta zgjidhin vet institucionet e Kosovës”.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është bërë aktualisht i pamundur për shkak të nevojës për ndryshimin e Kushtetutës. Ky ndryshim nuk mund të bëhet pa mbështetjen dhe votat e deputetëve serbë, të cilët janë deklaruar se nuk e shohin si moment të përshtatshëm diskutimin për ushtrinë e Kosovës në këtë fazë.

Top Channel