Shembja e murit, Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen

06/02/2017 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka mirëpritur marrëveshjen e arritur për shembjen e murit në veri të Mitrovicës.

Përmes një njoftimi për mediet, ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka thënë se, kjo marrëveshje e arritur do të rezultojë me ndërtimin e një zone të bukur për këmbësorët, që përmbush marrëveshjen e 2015-s për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës.

“Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen e 4 shkurtit të arritur mes ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, dhe kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Rakiç, lidhur me planin urban të rishikuar për shndërrimin e rrugës “Mbreti Pjetër” në zonë për këmbësorët. Ne përshëndesim Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut për aprovimin e shpejtë të planit të ri. Marrëveshja e arritur do të rezultojë me ndërtimin e një zone të bukur për këmbësorët, që përmbush marrëveshjen e 2015-s për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ambasada amerikane ka theksuar gjithashtu se mund të arrihet shumë, kur të gjitha palët bashkohen për të punuar për të mirën e përbashkët.

Top Channel