Moti, plagosen 2 peshkatarë, dëmtohen 3 anije peshkimi

06/02/2017 00:00

Si pasojë e një furtune të beftë që përfshiu Gjirin e Durrësit, dy peshkatarë u plagosën, ndërsa tre peshkarexha u dëmtuan pasi u goditën nga një anije e tipit “ro-ro” që po dilte nga terminali i trageteve.

Të dëmtuar gjatë manovrave për të mbrojtur peshkarexhën “Panajot Papa” mbetën kapiteni Arben Troplini dhe peshkatari Gentian Gjylmega, të cilët u goditën nga litarët e anijes së tyre.

Ndërsa anija “Fides” ka qenë duke dalë nga terminali i trageteve pas shkarkimit të 61 mjeteve të rënda të sjella për realizimin e projektit TAP, kur ka goditur fillimisht peshkarexhën “Karmela 2” dhe si rezultat pasoi goditja zinxhir e mjeteve “Baltic” dhe “Panajot Papa”, që ndodheshin përbri saj.

Dy peshkatarët e dëmtuar janë dërguar në spitalin e Durrësit nga sektori shëndetësor i portit. Per të normalizuar situatën janë angazhuar 2 rimorkiatorë, si dhe forcat e sigurisë portuale.

Anija e peshkimit “Karmela 2”, që mori goditjen nga “Fides”, është zhvendosur nga vendi i incidentit dhe po mbahet me vinç për të shmangur mbytjen e saj. Të dëmtuara nga situata e krijuar për shkak të motit të keq kanë mbetur edhe dy barka druri.

Top Channel