TAP, 400 milionë euro sivjet. Në 3 vite, 1.5 mld euro në Shqipëri

06/02/2017 00:00

Ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik ka hyrë në fazën kulmore dhe këtë vit projekti pritet të investojë në ekonominë shqiptare një shifër që arrin sa 4 për qind e prodhimit kombëtar.

“Investimi do të luhatet në nivelin e 400 milionë eurove. Kjo varet edhe nga ecuria e punimeve në terren, nga situata që mund të kërkojnë vëmendje më të veçantë në një moment të caktuar, ose nga lëvrimet e produkteve të ndryshme”, tha Shkëlqim Bozgo, drejtor i Përgjithshëm i “TAP” në Shqipëri.

Gazsjellësi TAP është projekti më i madh i realizuar në ekonominë shqiptare. Sipas Bozgos, investimet do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe vitin tjetër.

“Sikurse është bërë i ditur, investimi total i projektit TAP në Shqipëri është në nivelin e 1.5 miliardë eurove. Tashmë jemi në vitin e dytë, kur intensiteti i investimeve është në maksimumin e vet. I tillë ka për të qenë edhe viti që vjen 2018, ndërkohë që në vitin 2019 do të bëhet testimi i tubacioneve, mbushja me gaz, dhe komisionimi”, tha më tej Bozgo.

Gjurma e gazsjellësit nis në qytetin e Kipoit, në kufirin turko-grek. Në territorin shqiptar, ai hyn në zonën e Korçës dhe, pasi kalon përmes Beratit dhe Fierit, përfundon në Itali në rrugë nënujore.

“Projekti po ecën me ritme të larta, me synimin që në muajin janar të vitit 2020 të fillojë rrjedha e gazit në tubacionet e TAP-it”, deklaron Bozgo.

Aktualisht TAP ka mbi 1.800 të punësuar direkt në Shqipëri dhe sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, projekti do të rrisë prodhimin e përgjithshëm të Shqipërisë të paktën me 150 milionë euro.

Top Channel