“Vetting”-u, BE nxit juristët: Kandidoni për komisionet e rivlerësimeve

06/02/2017 00:00

Pas ambasadorit amerikan Donald Lu, edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i drejton një thirrje juristëve të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Rivlerësimit.

Apeli shfaqet në faqen e internetit të delegacionit, shoqëruar me detajet e plota të aplikimit, të cilat mund të gjenden në faqen “online” të Avokatit të Popullit.

Aty sqarohet sesi janë të ftuar për pjesëmarrje sa më të gjerë qytetarët, si brenda edhe jashtë vendit, që plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në ligj.

Numri i aplikuesve ka shkuar në 12 deri në mesditën e së hënës, duke u dyfishuar që nga thirrja e ambasadorit Lu, të shtunën. Numri i vendeve që duhen plotësuar është 27; 12 në Komisionin e pavarur të Kualifikimit, 7 në Kolegjin e Apelimit, 2 komisionerë publikë dhe nga 2 zëvendësues për secilin organ.

Me aplikimet e insitucioneve të reja të Drejtësisë ka ndodhur shpesh që veprimet të kryhen nga kandidatët pak përpara skadimit të afatit, që në këtë rast është data 9 shkurt.

Kandidatëve u duhet të dorëzojnë 2 kopje dokumentesh, përfshirë një shkresë të nënshkruar prej tyre, ku aplikuesi pranon kufizimet e posaçme për fshehtësinë në komunikimet elektronike, gjatë kohëzgjatjes së mandatit si anëtar i institucioneve të rivlerësimit.

Plot 11 janë kriteret ligjore për të qenë kandidat. Kushti i parë është diplomimi si jurist, e pastaj vijnë me radhë kritere me standardet shumë të larta profesionale dhe morale të kandidatëve. Pjesë e kërkesave është edhe vjetërsia në punë në fushën e së drejtës, të mos ketë qenë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit, të mos ketë qenë anëtar apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, të mos jetë mbi 65 vjeç, si dhe njohja shumë e mirë e gjuhës angleze.

Për të lehtësuar procesin, Avokati i Popullit ka urdhëruar mbajtjen hapur të institucionit të tij deri në orën 8 të mbrëmjes, si dhe po u jepet asistencë edhe të interesuarve me aplikacionet “online”.

Top Channel