Bernd Borchardt me studentët e Artit: Rruga e Shqipërisë varet nga ju

06/02/2017 00:00

“Rruga drejt progesit së një të ardhmeje më të mirë është e vështirë, por ia vlen”. Me këtë shprehje e nisi bashkëbisedimin me studentët e Akademisë së Arteve, ambasadori i OSBE-së, i ftuar për të dialoguar me ta lidhur me sfidat me të cilat përballet sot arti dhe kultura.

Në prag zgjedhjesh, Bernd Borchardt apeloi për sfidën kryesore me të cilën do të përballen të rinjtë më 18 qershor.

“Ka shumë sfida me të cilat do të përballeni. Zgjedhjet po afrojnë dhe ju do të bëni zgjedhjen tuaj. Do të tundoheni për të mos votuar, të shisni votën apo ta fotografoni atë për të treguar kandidatin për të cilin keni votuar. Jeni ju ata që zgjidhni demokracinë në të cilën doni të jetoni, ndaj bëni zgjedhjen e duhur. Ne e mbështesim Shqipërinë në reformimin e ligjit zgjedhor dhe i japim këshilla në lidhje me praktikat më të mira. Kolgët nga ODHIR do të vijnë të monitorojnë zgjedhjet, por i takon shqiptarëve të vendosin çfare rruge do të marrin përmes votës së tyre”, deklaroi Borchardt.

Më tej, ambasadori i OSBE-së hoqi vija paralele mes politikës dhe kulturës, kur tha se politika po merret gjithnjë e më shumë me të kaluarën, ndaj inkurajoi artistët e rinj ta bëjnë këtë gjë edhe në art.

“Në botë po ndodhin ndryshime madhore si krizat e refugjatëve dhe vuajtjet e tyre, migrimet masive, kërcënimet nga terrorizmi, ndryshimi i shpërndarjes së pasurisë mes njerëzve, fenomene që reflektohen në art. E di se artit i duhet kohë të reflektojë zhvillime të tilla, por ama duhet të depërtojë në to. Shqipëria dhe artistët e saj që prej vitit 1990 përballen me ndryshimin madhor të kalimit nga sistemi komunist në një sistem të ri, ndaj trajtimi i së kaluarës duhet bërë në art. Inkurajojmë dialogun kombëtar mbi trajtimin e së kaluarës. Shpresojmë që artistët shqiptarë ta reflektojnë këtë gjë më shumë mbi punën e tyre”, theksoi Borchardt.

Top Channel