Pilotët, fajtorë për rrëzimin e helikopterit. Prokuroria: Gabim njerëzor

06/02/2017 00:00

Dhjetë muaj pas aksidentit tragjik të helikopterit “EC 145” të Forcave të Armatosura në liqenin e Shkodrës, Prokuroria e këtij rrethi ka përfunduar hetimet duke konkluduar se ngjarja ka ardhur si pasojë e gabimit njerëzor të të dy pilotëve, që humbën jetën në këtë aksident.

Paralelisht me këtë konkluzion, Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet për këtë ngjarje, me argumentimin se personat që kanë konsumuar veprën penale, konkretisht pilotët Donald Hoxha dhe Floran Delia, të shpallur dëshmorë, kanë humbur jetën në aksident.

Gjate 10 muajve të hetimit, organi i akuzës hetoi për dy vepra penale, “lëvizja e trupave pa të drejtë” dhe “shkelje e rregullave të fluturimit ajror”. Sa i takon akuzës së parë janë pyetur mbi 20 ushtarakë, si dhe janë administruar një sërë dokumentesh nga baza ajrore e Farkës, që nga libri i përgatitjes teorike të helikopterit “EC 145” e deri te regjistri i ambulancës për gjendjen shëndetësore të pilotëve.

Në fund të hetimeve rezultoi se, në asnje rast nuk u konstatuan shkelje nga personeli i bazës ajrore të Farkës mbi rregulloren e fluturimeve ushtarako-ajrore. Ndërsa në hetimet për shkelje të rregullave të fluturimit ajror, Prokuroria, në bazë edhe të pamjeve filmike të kabinës së pilotëve, konkludoi se rrëzimi i helikopterit ka ardhur si pasojë e manovrave të gabuara në kabinën e pilotimit.

Dhe duke qenë se nga ky aksident humbën jetën të dy pilotët, organi i akuzës ka mbyllur përfundimisht hetimet për këtë ngjarje.

Top Channel