Rasti “Prenga”, gjykata kërkon sjelljen me forcë të Calajve

06/02/2017 00:00

Gjykata e Lartë ka urdhëruar sërish sjelljen me forcë të tre dëshmitarëve kryesorë që pritet të rrëfejnë se çfarë ndodhi gjatë konfliktit të armatosur për Lagunën e Patokut, ngjarje për të cilën po gjykohet deputeti Armando Prenga.

Dëshmitarët e kërkuar me këmbëngulje nga prokuroria, Julian Cali, Dorian Cali dhe Gjok Cali, prej muajsh refuzojnë të paraqiten në Gjykatën e Lartë.

Ndërsa për ironi, ata ishin të pranishëm seancën e kaluar, atëherë kur njëri nga anëtarët e trupës gjyqësore mungonte për shkaqe shëndetësore.

Në Gjykatën e Lartë, në procesin kundër deputetit Prenga dëshmoi një nga mjekët e Spitalit të Traumës, i cili ka asistuar dy nga pjesëtarët e familjes Cali, të mbetur të plagosur gjatë përplasjes ku akuzohet se u përfshi edhe deputeti.

Mjeku Artan Distafa i tha trupës gjykuese se për shkak të kohës që ka kaluar nuk i mban mend emrat e të dëmtuarve, që sipas tij ishin plagosur me armë zjarri.

Gjykata e Lartë e caktoi seancën e radhës më datë 20 shkurt, në pritje për të dëgjuar tre dëshmitarët që pritet t’i sjellë me detyrim policia lokale.

Top Channel