Veliaj: Shtohen 14 autobusë “fizarmonikë” për Unazën

06/02/2017 00:00

Instalimi i sistemit GPS dhe sistemi i pikëzimit për transportin urban ka nisur nga Unaza. Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar këtë linjë urbani, që i shërben njërës prej zonave kryesore të Tiranës dhe mundëson ndërlidhjen me linjat e tjera ekzistuese.

“Bashkë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit po kontrollojmë të gjithë autobusët e linjave në Tiranë. Linja e Unazës është një nga linjat më të ngarkuara, sidomos për fluksin e madh të njerëzve në oraret e mëngjesit. Për të rikuperuar problemet që kemi me fluksin e mëngjesit, linja ka shtuar 14 autobusë ‘fizarmonikë’ dhe me kalimin e kohës, kjo do të vijojë. Paralelisht do të shtojmë edhe korsitë e dedikuara, e vetmja mënyrë se si mund të përballojmë fluksin e orës 7-8 në mëngjes, edhe pse sot situata është më e mirë, pasi janë reduktuar lëvizjet e furgonëve që bëjnë furnizimet tregtare, duke liruar më shumë hapësirë për qytetarët që do duhet të përdorin autobusin”, tha Veliaj.

Gjithashtu, autobusëve u janë instaluar edhe sistemet GPS, që do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit.

Veliaj sqaroi edhe skemën se si do të funksionojë sistemi i pikëzimit në transportin publik, ku operatorët në fillim të vitit pajisen me 300 pikë. “Të gjitha kompanitë do të kenë 300 pikë në fillim të vitit. Pikët variojnë sipas performancës dhe sipas raportimeve që na vijnë nga qytetarët dhe nga AMK. Në momentin që një kompani, brenda një viti, i humb 300 pikë, atëherë automatikisht humbet edhe licencën e autobusit. E dyta, të gjithë autobusët sot kanë instaluar një GPS, pra një çip elektronik, i cili na tregon në mënyrë ekzakte se ku ndodhet autobusi, nëse po ecën ngadalë qëllimisht, edhe pse nuk ka trafik, apo nëse ngadalësia ka të bëjë me trafikun, që është e pranueshme në Tiranë, sidomos në orët e pikut në mëngjes”, tha ai.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës që të raportojnë problemet me transportin publik në numrin pa pagesë 0800 0888.

Top Channel