Meta: Kur bashkëpunohet, progresi është i sigurtë

06/02/2017 12:30

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në Konventën Zgjedhore të Njësisë 6 në Tiranë. Duke folur para strukturave të kësaj njësie, Meta tha se prej 26 vitesh dëgjohet një retorikë e egër politike, jashtë çdo parametri dhe jashtë çdo logjike.

Kryetari i LSI-së theksoi se kur bashkëpunohet dhe kur punohet me prioritetet e qarta e në mënyrë të qëndrueshme, edhe progresi është i sigurtë. Sipas Metës, njerëzit duan të dëgjojnë një zgjidhje, një mesazh që atyre u intereson dhe se mesazhi duhet të jetë për njerëzit, se si mund të zgjidhen ato probleme që shqetësojnë qytetarët më shumë sot.

“Kur bashkëpunohet, kur punohet me prioritetet e qarta dhe në mënyrë të qëndrueshme, edhe progresi është i sigurtë. Besoj se kjo filozofi do të vazhdojë të na japë sukses edhe në të ardhmen”, deklaroi Meta në fjalën e tij.

Duke folur për të rinjtë, Meta iu referua grupit të këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, që përbëhet nga të rinj e të reja e që janë një model për politikën dhe frymëzojnë bashkëmoshatarët e tyre që të qëndrojnë këtu për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin tonë e për të luftuar së bashku.

“Sepse të bashkuar janë më të fortë, janë më të fuqishëm janë më imponues dhe janë një shpresë e vërtetë dhe e madhe për të gjithë vendin tonë”, tha Ilir Meta ndër të tjera.

Top Channel