Greqi, arrestohen 4 shqiptarë për trafikim kanabisi

06/02/2017 00:00

Policia greke arrestoi 4 shqiptarë në zonën e Follorinës, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa.

Arrestimi i tyre është kryer në zonën e Vatohorit, një fshat disa kilometra larg nga pika kufitare e Kristalopigjisë, ku dy patrulla policore i ndaluan me 121 kg lëndë narkotike hashash, të futur në 7 çanta udhëtimi.
 
Ndaj, njërit prej të arrestuarve ka pasur edhe urdhër-arresti nga Gjykata e Selanikut për shkelje të ligjit të qëndrimit për të huajt në Greqi.

Hetimi paraprak vazhdon nga Departamenti i Antidrogës greke, ndërsa të arrestuarit janë çuar në Prokurorinë e Kosturit.

Në një zhvillim të ngjashëm, organet portuale të Igumenicës kanë konfiskuar një sasi prej 102 kg lëndë narkotike të dyshuar si hashash në një kamion me targa italiane.

Brenda kamionit janë gjetur 92 pako me lëndën narkotike, që, sipas hetimeve paraprake, është marrë në dorëzim pranë kufirit greko-shqiptar. Drejtuesi italian i mjetit ka rrëfyer se ngarkesa në fjalë kishte destinacion portin e Brindizit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel