“The Independent”: Trump ndërton mure, Mitrovica i shemb

06/02/2017 00:00

“Donald Trump ndërton mure, Kosova i rrëzon”. Duke raportuar shembjen e murit të ndërtuar prej serbëve në Mitrovicë, e përditshmja britanike “The Independent” thekson kontrastin e thellë mes këtij veprimi dhe vendimit të debatueshëm të presidentit të ri amerikan për të ngritur një barrierë të pakalueshme në kufi me Meksikën.

Muri prej betoni në Mitrovicën etnikisht të ndarë, shkak i shtimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, u rrëzua të dielën pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë kosovare dhe minoritetit serb. Kompromisi u arrit falë ndërmjetësimit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Policia ishte në gatishmëri të lartë, por puna e dy buldozerëve kaloi e pashoqëruar nga protesta apo trazira.

Kryeministri Isa Mustafa i falënderoi të gjithë banorët e Mitrovicës. “Nuk i hymë asnjë demonstrimi force ose populizmi”, ishin fjalët e tij. Ato që mbizotëruan në fund ishin metodat demokratike.

Heqjen e barrierës së ngritur në muajin dhjetor e përshëndeti edhe shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

“Kemi parë zhvillime inkurajuese këto ditët e fundit, përsa i takon dialogut Kosovë-Serbi. Marrëveshja e arritur në Mitrovicë tregon se të dyja palët po demonstrojnë guxim dhe vizion me rrëzimin e mureve dhe përqëndrimin te ndërtimi i urave lidhëse”, tha Mogherini.

Për më shumë se dy muaj, çështja e murit nxiste vetëm debate e pakënaqësi. Autoritetet dhe partitë politike në Kosovë e patën cilësuar si një veprim që bie ndesh me marrëveshjen për liri të lëvizjes në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, ndërsa për shembjen e tij ishte miratuar edhe një rezolutë nga Parlamenti i Kosovës.

Top Channel