Shkatërrohet rrjeti i prostitucionit, 11 të arrestuar

06/02/2017 09:20

11 persona janë vënë në pranga, mes tyre dhe një punonjës policie, në sajë të operacionit të koduar “Free Taxi”. Ka qënë vetë drejtori i policisë së Tiranës, Ervin Hodaj që ka bërë të ditur operacionin.

Tre prej të arrestuarve janë femra. Fllanxe A., 37 vjeçe me shtetësi maqedone është arrestuar për shfrytëzim prostitucioni, vepër penale që e ka kryer edhe më parë.

Gjithashtu në të njëjtën akuzë është vënë dhe Ambra I., 21 vjeçe dhe Anxhela Xh., 36 vjeçe.

Ndërkohë, Mariglen Ahmetaj, 33 vjeç taksist, është ndaluar në akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe shitjes së narkotikëve. Në pranga kanë rënë dhe tre taksistë të tjerë, Arben Bici, 36 vjeç dhe Përparim Kola, 41 vjeç dhe Kujtim Karamuça, 50 vjeç. Taksisti Kola akuzohet për moskallëzim krimi.

Lendi Stefani është arrestuar për përshtatjen e ambienteve për përdorim droge, si dhe janë vënë në pranga për prostitucion Gjergji Rusa, 24 vjeç dhe Albion Todri, 32 vjeç.

Mes tyre është arrestuar dhe efektivi i policisë Elton Shterpi, 32 vjeç, në akuzën e ushtrimit të ndikimit të aurotitetit të paligjshëm, shfrytëzim prostitucioni kryer në bashkëpunim dhe moskallëzim krimi.

Në gjendje të lirë janë proceduar E.S ,37 vjeç, G. K, 41 vjeç, A.B, 33 vjeç, R.D, 32 vjeç, O. P, 26 vjeçe, I. Gj, 28 vjeçe, J.S, 35 vjeçe , A.B ,28 vjeçe, M. T, 22 vjeçe, G. H, 32 vjeçe banuese në Tiranë, proçeduar për veprën penale të “Prostitucionit”.

Arrestimet kanë ardhur pas një hetimi disa mujor. Sipas policisë, Ambra I, Fllanxe. A , dyshohen se rekrutonin vajza të moshave të ndryshme për të ushtruar prostitucion dhe klientet siguroheshin prej taksistëve. Shuma per çdo klient shkonte nga 50 në 150 euro.

Aktiviteti i tyre kriminal kamuflohej dhe lehtësohej nëpërmjet aktivitetit si taksist duke bërë të mundur transportimin e vajzave që ushtrojnë prostitucion në Hotele dhe ambjente të tjera, që njësohen me to, për të kryer prostitucion. Gjithashtu dyshohet se ata në disa raste kanë siguruar dhe lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën ua shisnin klientëve.

Nga arrestimet e bëra në disa prej ambienteve jane konstatuar lëndë narkotike e llojit kokainë ne disa porcione ku jane sekuestruar disa doza kokaine dhe mjete për përdorim të lëndëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar 3 automjete taksi, 18 aparate telefonike, 50000 lek të reja, si dhe 4 doza kokainë.

Dy prej shtetaseve të cilat dyshohen të jenë shfrytëzuar për prostitucion gjatë kësaj periudhe janë akomoduar dhe do të trajtohen pranë një qëndre pritëse me qëllim marrjen e një pakete shërbimesh si dhe rehabilitimin dhe nxjerjen e tyre nga ky rrjet shfrytëzimi.

Top Channel