Trump: Po ndodhi gjë, fajin e kanë gjykatat

06/02/2017 08:05

Donald Trump u hodh në sulm kundër gjykatësit që bllokoi urdhrin e tij të udhëtimit. “Po ndodhi gjë – tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë, – amerikanët duhet të fajësojnë gjykatat”.

Me një seri mesazhesh bombarduese në “Twitter”, republikani sqaroi gjithashtu se i ka udhëzuar autoritetet kufitare t’i kontrollojnë me shumë kujdes njerëzit që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata federale e Apelit i rrëzoi të shtunën kërkesat e administratës së Trumpit për rivendosjen e kufizimeve. Vendimin për të bllokuar direktivën e Trumpit e kishte marrë të premten një gjykatës në Seattle, duke i dhënë kështu “grushtin” më të fortë deri tani lëvizjes polemizuese të miliarderit njujorkez.

Derisa çështja të sqarohet plotësisht, shtetasve nga Iraku, Irani, Siria, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni, të pajisur me vizë amerikane, do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Afati i dhënë Shtëpisë së Bardhë dhe dy shteteve amerikane kundërshtuese të kufizimeve për të paraqitur argumente ligjore shtesë, është pasditja e kësaj të hëne.

Fuad Sharef, irakiani që kishte punuar për amerikanët në vendin e tij, por u bllokua nga urdhri i Trumpit, arriti më në fund me familjen në Nashville, Tennessee.

“Nuk di si ta përshkruaj ndryshe, përveç se që jam shumë, shumë i lumtur. Kjo është një ditë e veçantë për mua. Besomëni kur ju them se është vërtet një ditë e jashtëzakonshme”, tha Fuad Sharef.

Nuk janë të paktë ata që po përjetojnë një ndjenjë lehtësimi nga bllokimi i urdhrit kundër myslimanëve. Hesam Moazzami, rezident në Los Angeles, është një prej personave të cilët reaguan me shpejtësi, me t’u mësuar lajmi i ndërhyrjes së gjykatësit federal.

32-vjeçari u telefonoi prindërve në Iran dhe u kërkoi të niseshin menjëherë. Brenda disa orësh, ata ishin në aeroportin e Teheranit duke blerë biletat.

“Ndihesh vërtet keq kur sheh se autoriteti më i lartë i vendit, që do të thotë presidenti, të diskriminon në këtë mënyrë për shkak të besimit tënd apo vendit të origjinës”, tha Hesam Moazzami.

Disa kompani ajrore të mëdha, duke përfshirë këtu “Air France”, “British Airways” dhe “Emirates” kanë nisur që prej fundjavës t’ua lejojnë pasagjerëve nga 7 vendet e ndaluara me urdhër ekzekutiv ngjitjen në avionet e destinuar për në Amerikë.

Top Channel