Operacion kundër ISIS, 400 të arrestuar në Turqi

05/02/2017 00:00

Mbi 400 persona që dyshohen për lidhje të mundshme me ISIS, janë arrestuar si pjesë e një operacioni madhor t antiterrorizmit turk, në 6 rajone të Turqisë.

Rreth 60 xhihadistë të dyshuar, shumica e të cilëve të huaj, u ndaluan në Ankara, ndërsa 150 të tjerë në Sanliurfa, rajon pranë kufirit me Sirinë, ku policia sekuestroi materiale që lidh të dyshuarit me ISIS.

Operacione simultane, me rezultat arrestimin e shumë personave, u zhvilluan edhe në Stamboll, Gaziantep, Konya  e Bursa.

Sipas agjentëve, disa prej të dyshuarve ishin të përfshirë në plane për të sulmuar vendin. Gjetja e një pushke e disa armëve të tjera në provincën e Smirnës, në brigjet e Egjeut, sugjerojnë, sipas policisë, se plani për një sulm atje, ishte në fazat perfundimtare.

Autoritet e Ankarasë bënë me dije se të paktën 780 vetë janë në gjendje burgimi për lidhje të dyshuara me grupe xhihadiste.

Turqia nisi një inkursion ushtarak në Siri gushtin e kaluar, në mbështetje të rebelëve sirianë, në përpjekjen për të larguar militantët e Shtetit Islamik nga zonat kufitare. Lufta kundër Shtetit Islamik u intensifikua pas sulmit që përgjaku Stambollin natën e ndërrimit të viteve, ku humbën jetën 39 vetë.

Top Channel