Marine Le Pen prezanton platformën politike

05/02/2017 00:00

Lufta kundër globalizimit dhe Islamit radikal janë në qendër të platformës politike të Marin Le Pen, të cilën liderja e Frontit Nacional e publikoi të dielën.

Kandidatja për zgjedhjet presidenciale franceze tha për mbështetësit e saj në qytetin lindor të Lionit se globalizimi po i mbyste gradualisht komunitetet.

Për lideren e së djathtës ekstreme, Bashkimi Europian është një dështim dhe nëse përpjekjet për rinegocimin e kushteve më Brukselin do të dështojnë, ajo premtoi një referendum të stilit “Brexit”.

Me pretendimin se Fronti Nacional ishte partia e popullit francez, Le Pen tha se dëshironte një vend të pavaur, të lirë e demokratik.

Duke iu referuar sulmit me thikë në muzeun e Luvrit, ajo paralajmëroi për rrezikun e Islamit radikal duke pikturuar një panoramë të errët të Francës, nën kthetrat e fondamentalizmit islamik. Në Francë jetojnë rreth 5 milionë myslimanë, minoriteti më i madh islamik në Europen Perëndimore.

Edhe ish-bankieri e kandidati i pavarur, Emanuel Macron, që ka rezultuar si surpriza e këtyre zgjedhjeve, prezantoi në Lion vizionin e tij për Francen pro europiane e pro tregtisë së lirë.

Ish-ministri socialist i ekonomisë krijoi partinë e tij En Marche vetëm vitin e kaluar, por pas skandalit financiar që ka përfshirë kandidatin e qendrës së djathtë, Fransua Fillon, shanset e Macron për të sfiduar Le Pen-in në balotazh, janë rritur. 

Raundi i parë i zgjedhjeve në Francë mbahet më 23 prill.

Top Channel