Karta e studentit, bashkia ka gati projektin

05/02/2017 00:00

Së shpejti studentët do të përfitojnë ulje çmimesh jo vetëm në shërbimet publike, por edhe në ato private. Mjafton një vërtetim nga fakulteti që dëshmon se je student në një prej universiteteve publike apo private, për tu pajisur me kartën bashkiake të studentit.

Dokument që do tu ofrojë të rinjve një sërë lehtësirash, mes të cilave ulje nga 10 deri në 50% të çmimeve në 3 kompani interneti, në 2 spitale private, në 2 kinema, në banka dhe në një prej kompanive që tregton pajisje elektroshtëpiake. Këto janë disa nga shërbimet e reja, që Bashkia e Tiranës ka përfshirë në listën e lehtësirave, që do të përfitojnë të rinjtë që kanë statusin e studentit dhe që posedojnë kartën bashkiake.

Po ashtu ata do të përfitojnë gjithashtu shërbim falas në transportin publik, biblioteka, apo në Postën Shqiptare.

Një vit më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se karta e studentit do të jetë unike, një mjet identifikimi për nevojat e qytetit, ose ndryshe e cilësuar si abonoja me çip elektronik, që nuk do të lejojë abuzimet në emër të studentëve, siç edhe ka ndodhur vite më parë, kur ajo nuk eshte njohur per transportin publik.

Sipas Bashkisë së Tiranës, përmes kartës bashkiake të studentit, të rinjtë do të përfitojnë edhe nga shërbimet e subvencionuara nga ky institucion, siç janë edhe kreditë studentore.

Projekti për realizimin e kartës së studentit është iniciuar në kohën kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Edi Rama.

Kostoja për aplikantët është 5 mijë lekë. Aplikimet bëhen on line, në 1 prej sporteleve të ngritura nga Bashkia në Rektoratin e Universitetit të Tiranës; në Rektoratin e Universitetit Politeknik; në Fakultetin Ekonomik; në Universitetin Bujqësor; te ai i sporteve dhe në universitetin e Arteve.

Top Channel