PD: Edi Rama me përulësi para Elvis Rroshit, e mban ende kryetar Bashkie

05/02/2017 00:00

Edi Paloka, në një deklaratë për mediat, tha se “Edi Rama ka vendosur të mos zbatojë dekriminalizimin, të mos zbatojë vendimin e prokurorisë, të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, madje as vendimin e qeverisë së tij, për largimin e Elvis Rroshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës”.

“Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, KQZ zbatoi urdhërin e prokurorisë për t’i hequr mandatin Elvis Rroshit, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, dhe pas kësaj doli një vendim qeverie që e shkarkonte atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Por dje, ministri i financave i Edi Ramës, jo vetëm shfaqet me përulësi e respekt para Elvis Rroshit, në një aktivitet politik në Kavajë, por e cilëson atë publikisht kryetar Bashkie.Edi Rama del kështu kundër qytetarëve, kundër institucioneve, kundër kërkesës së Europës, dhe mbron krimin deri në fund”, u shpreh Paloka.
 
“Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot, as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë. Ndaj, më 18 shkurt ne ngrihemi bashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin të lire qeverisjen e tyre”, shtoi Paloka.

Top Channel