Veliaj: Shtojmë gjëlbërimin dhe ulim ndotjen në qytet

05/02/2017 00:00

Pas mbjelljes së pemëve në Liqenin Artifical të Tiranës dhe atë të Farkës, këtë herë, nën moton “E dua pemën”, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit u zhvendos në Liqenin Artificial të Kasharit.

“Fillojmë një projekt të ri, siç bëmë në Farkë, ashtu edhe për liqenin e Kasharit. Këto 500 pemë do të konturojnë perimetrin e liqenit të Kasharit, i cili është pjesë e projektit tonë për Pyllin Orbital. Po shfrytëzojmë ditët ideale që është muaji janar, shkurt, për të kryer mbjelljet rreth e qark Unazës së Madhe të Tiranës”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Por, këto pemë kërkojnë dhe përkujdesje. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj i ftoi banorët e zonës të kujdesen për to, teksa prezantoi edhe projektin e ri, ku çdo qytetar mund t’i kushtojë një pemë atyre që ka përzemër për të ndihmuar në shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit.

“Me situatën ku gjendet sot Tirana, me një milion banorë, 200 mijë makina, me kaq shumë urbanizim, kemi vetëm dy mënyra se si të ecim përpara për pastrimin e ajrit në Tiranë: së pari, duke e mbushur me gjelbërim, që është ajo se çfarë po bëjmë sot; së dyti, duke inkurajuar më shumë ata që ecin, hapësirat pedonale, ata që përdorin biçikletat dhe transportin publik”, deklaroi Veliaj.

Janari ishte muaji më i pastër krahasuar me mesataren e gjithë vitit që lamë pas, për cilësinë e ajrit, tha Veliaj. Por, që kjo të ruhet, është shumë e rëndësishme që të stabilizojmë çështjen e gjelbërimit dhe të vijojmë me këtë projekt që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja, që do të jenë pjesë e kurorës së gjelbër të Tiranës, e njohur ndryshe si Pylli Orbital.

Top Channel