Tahiri në Kuçovë, bashkëbisedim për nismën kundër armëve

05/02/2017 00:00

Nga Kuçova, ku zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës të shkollave të mesme, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ftoi ata të bëhen pjesë e nismës “Shqipëria pa armë”. Tahiri u shpreh ndër të tjera se, duke qenë të bashkuar, me kontributin e kujtdo që ka mundësi të ndihmojë, duhet shkuar derë më derë dhe të binden qytetarët që zotërojnë armë pa leje t’i dorëzojnë ato.

Edhe nxënësit kanë shfaqur interes për nismën në fjalë, që u propozua disa javë më parë nga Ministria e Brendshme, dikaster i drejtuar nga Saimir Tahiri.

Gjatë bashkëbisedimit, Tahiri iu përgjigj pyetjeve të nxënësve, ndër të cilat pati edhe nga ato për Reformën në Drejtësi, si dhe për ngjarjet e “21 Janarit”, për të cilat tha se “mënyra më e mirë e reagimit ishte të bënim gjithçka ishte e mundur që ajo të mos ndodhte në vazhdim, e mbi të gjitha të mos përsëritej kurrë”.

I pyetur nga një nxënës që dëshironte të kontribuonte për sensibilizimin e dorëzimit të armëve vullnetarisht, nëse lejohej të ndihmonin dhe kujt mund t’i drejtoheshin, Tahiri tha:

“Pa asnjë diskutim. Unë të falënderoj për propozimin. Nëse jeni të gatshëm ne mund të bëhemi bashkë  dhe, bashkë me policinë, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, bashkë me pushtetin vendor, me deputetin, me këdo që  ka mundësi të na japë një ndihmë, të shkojmë derë më derë dhe t’i bindim qytetarët t’i dorëzojnë armët. Ne jemi plotësisht gati dhe në dispozicionin tuaj, nëse ka edhe sikur 10 prej jush që janë gati të bashkohen me ne”.

Më tej Tahiri theksoi se policia ka detyrimin të bëhet partner me qytetarin, duke e konsideruar si një sukses arritjen e ndërtimit të këtij mentaliteti.

“Kemi eksperienca shumë pozitive në botë dhe shumë shpejt do ta bëjmë realitet edhe në Shqipëri. Besoj se do të jetë mënyra më e mirë, ose platforma më e konsoliduar për të pasur një partneritet të sigurtë mes publikut dhe policisë”, tha Tahiri.

Top Channel