Bulqizë, vijon kërkimi për minatorët

05/02/2017 00:00

Në minierën e Bulqizës po vijojne kërkimet për 3 minatorët  kinezë që dyshohet se kanë mbetur në galeri pas shpërthimit të gazit hidrogjen një ditë më parë.

Në vendngjarje ndodhen grupet e repartit të inspektim-shpëtim në miniera, ndërkohë që përfaqësues të Ambasadës Kineze dhe zëvendësministri i Energjisë kanë ndjekur nga afër veprimet.

Sipas autoriteteve, pa u pastruar mirë të gjitha nivelet nga sasitë e gazit të hidrogjenit nuk mund të shkohet në nivelin 21 të galerisë, atje ku gjendeshin në momentin e shpërthimit minatorët kinezë.

Gëzim Musabelli, zv/ministër i Energjisë dhe Industrisë, tha: “Në rast se nuk pastrojmë ajrin, nuk mund të marrim masa të mëtejshme për t’u futur poshtë. Ata të tre unë po i quaj të humbur, nuk po i quaj viktima. Kanë ngelur në nivelin 21, janë atje dhe sigurisht që ne nuk mund të rrezikojmë pa marrë të gjitha masat nga ana teknike, pa pastruar përfundimisht kollonën nga niveli 16 deri në nivelin 21”.

Shpërthimi i papritur i hidrogjenit plagosi edhe tre punonjës të tjerë të kompanisë kineze “Xiang Enginering”, e nënkontraktuar nga kompania Albchrome. Ata kanë dalë nga spitali pasditen e së shtunës.

Top Channel