Gjermani, sondazhet favorizojnë Schulz përballë Merkelit

05/02/2017 00:00

Faktori Martin Schulz duket se i ka trazuar ujërat në Gjermani. Pavarësisht se partia e tij “SPD” qëndron shumë prapa “CDU”-së së Angela Merkelit, duket se populli gjerman preferon që postin e Kancelarit ta marrë ish-presidenti i Parlamentit Europian, që garon përballë Merkelit.

Nëse qytetarët do të votonin në mënyrë të drejtpërdrejtë, sipas sondazheve të fundit, Schulz do të merrte 50 për qind të mbështetjes, ndërsa Merkel vetëm 34 për qind.

Kur “SPD”-ja drejtohej nga Sigmar Gabriel, ajo mezi e kalonte kuotën e 20 përqindëshit në sondazhe, por sapo Martin Schulz mori frerët e partisë dhe hodhi kandidaturën për kancelar, mbështetja u rrit me 8 për qind, diçka kjo që për mediet gjermane konsiderohet e pashembullt.

Gabriel nuk do të kishte asnjë mundësi përballë Merkelit, pohon “Deutsche Ëelle”, por duket se ish-presidenti i Parlamentit Europan, pavarësisht mungesës së përvojes në ekzekutiv e të kaluarën si ish-pijedashës, plotëson një vend bosh në politikë.

“Huffington Post” flet për  lodhje nga Merkeli, një sinjal jo i mirë për unionin. Analisti Oskar Niedermayer mendon se atmosfera politike në Gjermani është në prag të ndryshimit, pas epokës 12-vjeçare të Merkelit, e megjithatë sipas tij është e nevojshme që Schulz të pozicionohet qartë për çështje të politikës së brendshme.

Top Channel