Lezhë, arrestohen dy gjobëvënës

05/02/2017 11:20

Një person është kërcënuar se do t’i vrisnin të birin në rast se nuk paguante 25 mijë euro. Ngjarja është denoncuar të shtunën në Policinë e Lezhës nga qytetari me iniciale V.P., i cili ka vënë në dijeni efektivët për mesazhet kërcënuese që kishte marrë në telefonin e tij nga 2 gjobëvënësit.

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda nisën kërkimin e autorëve. Sipas njoftimit zyrtar, është bërë e mundur që pas 5 orësh nga momenti i kërcënimit të arrestohen në flagrancë autorët e dyshuar. Arrestimi u bë në vendin e quajtur Malecaj, tek ura e fshatit, dhe të dyshuarit janë Dodë Gjoka, 37 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kodër Marlekaj (Lezhë), i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe Mark Quku, 48 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Malecaj. 

Në momentin e ndalimit në flagrancë, dy personave u është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale telefoni celular me të cilin kanë dërguar sms-të kërcënuese.

Dy të arretuarit do të gjykohen nga Krimet e Rënda për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.

Top Channel