Vazhdojnë kërkimet për minatorët, ambasadori kinez në Bulqizë

04/02/2017 00:00

Ambasadori kinez në Tiranë ka mbërritur pasditen e së shtunës në Bulqizë, për të ndjekur nga afër operacionet e kërkimit të 3 minatorëve kinezë të bllokuar në minierën e kromit, pas incidentit që la të plagosur 3 minatorë të tjerë, edhe ata kinezë.

Për të ndihmuar kërkimet, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e seksionit të Avari-Shpëtimit, specialistë të RISHMIT, por edhe specialistë të policisë nga komisariati i Bulqizës, që ka ngritur një grup hetimor.

Rreth orës 18 e 30, tre inxhinierë, dy oficerë të Krimeve dhe një i kriminalistikës në komisariatin e Bulqizës kanë zbritur në galeritë e minierës deri në nivelin e pestë, ku fillon gryka e pusit 21, ku po kryhen punime.

Mësohet se ata e kanë patur të pamundur të vijojnë lëvizjen në brendësi të pusit, pasi rrjedhja e gazit në vëllim të madh vazhdonte. Nga mbikëqyrja që i kanë bërë vendit të ngjarjes ka rezultuar se, nga shpërthimi i gazit të hidrogjenit janë dëmtuar sistemi i ajrimit dhe ventilimit, si dhe bazamenti anësor i pusit.

Në këto kushte, inxhinierët dhe grupi hetimor i policisë kanë dalë në sipërfaqe, për t’ua lënë vendin specialistëve të RISHMIT, të cilët kanë nisur punën për riparimin e ajrimit dhe ventilimit, si dhe për largimin e dheut që ka vërshuar pas shpërthimit.

Kur dëmet të jenë riparuar, atëherë do të rifillojnë dhe kërkimet për gjetjen e tre minatorëve kinezë, të tre kryespecialistë.

Top Channel