Prishja e murit në veri, Thaçi: Dialog për të gjitha kontestet

04/02/2017 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se rruga institucionale dhe dialogu janë format e duhura për zgjidhjen e problemeve ndëretnike.

“Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional, kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Ai ka theksuar se, “kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekin të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve dhe të forcohet paqja në Kosovë e rajon”.

“Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin. Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika e urrejtjes dhe ndërhyrjet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë. Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel