SHBA akuzon Iranin: Sponsori më i madh i terrorizmit

04/02/2017 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis tha se Irani është shteti më i madh në botë që sponsorizon terrorizmin.

Komentet e tij vijnë ndërsa tensioni mes dy shteteve rritet dhe një ditë pasi administrata “Trump” vendosi sanksione të reja ndaj Iranit, si reagim për një test rakete balistike.

Në krahun tjetër, Irani ka zhvilluar disa stërvitje ushtarake për të sfiduar sanksionet amerikane. Sipas mediave iraniane, gjatë stërvitjeve ushtarake u testuan sisteme raketash, radarë, qendra komande dhe kontrolli si dhe sisteme të luftës kibernetike, gjithçka e prodhuar në Iran, pasi republika islamike nuk mund të importojë asgjë te tillë.

“Për sa i takon Irani, ky është shteti më i madh në botë që sponsorizon terrorizmin. Kemi parë sjelljen e gabuar të këtij vendi që nga Libani e deri në Siri, nga Bahreini e deri në Jemen dhe herët apo vonë, duhet të merremi me këtë. Megjithatë, nuk ka nevojë që të shtojmë numrin e trupave në Lindjen e Mesme. Ne nuk do të nisëm kurrë luftën”, tha James Mattis, Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Irani ngul këmbë se testimet që ka kryer nuk shkelin rezolutat e OKB-së apo paktin bërthamor të arritur me fuqitë e mëdha.

Top Channel