Bllokoi urdhrin e Trump, presidenti sulmon gjykatësin

04/02/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do të anulojë vendimin ligjor që pezulloi ndalimin e hyrjes në SHBA të njerëzve nga 7 vende kryesisht myslimane.

Trump sulmoi ashpër gjykatësin James Robert që pezulloi urdhrin ekzekutiv të presidentit, duke e cilësuar atë antikushtetues. Menjëherë pas vendimit të gjykatës, disa kompani ajrore si “Qatar Airlines” apo “Air France” thanë se po lejojnë shtetasit nga vendet që përfshinte urdhri i Trump që të marrin fluturime drejt Amerikës.

“Opinioni i këtij të ashtuquajturi gjykatës, i cili i mohon vendit tonë sundimin e ligjit, është qesharak dhe do të anulohet”, shkroi Trump në një mesazh në Twitter”.

Sipas mediave amerikane, pritet që administrata të kërkojë një urdhër emergjence në gjykatë, në mënyrë që të aktivizojë sërish ndalimin e udhëtimit për 7 vendet e listës së zezë.

Në një komunikatë për shtyp, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se urdhri i Trump është i ligjshëm dhe i përshtatshëm. Megjithëse për shumë njerëz që duan të udhëtojnë drejt SHBA është ende e paqartë situata dhe nuk dinë si të veprojnë, mes atyre që pritet të mbërrijnë së shpejti në vend, duke shfrytëzuar vendimin e gjykatësit Robert, është vajza 4 muajshe nga Irani Fatemeh Reshad.

Ajo vuan nga një defekt në zemër dhe nuk udhëtonte dot drejt SHBA për shkak të urdhrit të Trump. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se mjekët që do të marrin përsipër rastin e vajzës, premtuan se do ta kurojnë atë falas.

Top Channel