Pyet gjithmonë veten si do t’i kish shkuar filli i jetës së tij, sikur të mos qe larguar nga Shqipëria në 1939. A do të kish pësuar e ëma, një romane bukuroshe, fatin e bashkëshorteve të huaja në Shqipëri që vuajtën gjatë regjimit komunist, a do të ishte bërë gazetar?

Luan Rexha nuk e di, sepse gjatë pushtimit fashist jeta mori një tjetër udhë duke e detyruar të ëmën të kthehet në vendlindje pa e kthyer kurrë kokën pas.

“Im atë kishte përfunduar kolegjin ushtarak në Romë, ku dhe qe njohur me nënën time, e cila ishte shumë e re, vetëm 16 vjeç. Edhe im atë ishte shumë i ri, 21 vjeçar. Mamaja nuk e mendoi dy herë, por e ndoqi babain dhe erdhi menjëherë të jetojë në Shqipëri”, shprehet Luan Rexha.

Gazetar prej 50 vjetësh, Luan Rexha është një nga penat e njohura të “Il giornale di Sicilia”. Prej vitesh jeton në Paris, ku punoi për shumë vite si drejtues i zyrës së “Ansa”-s në kryeqytetin francez. Por me Shqipërinë e lidh një dashuri e pakushtëzuar, rrënjet e veta, prejardhja dhe një baba që s’e njohu kurrë.

“Më vjen keq që nuk flas shqip. Unë me Shqipërinë kam pasur një marrëdhënie të shkurtër me të lindur, pastaj kur isha veçse tetë muajsh u ktheva në Itali sepse im atë vdiq. Ai qe me origjinë nga Kosova, por familja e tij qe vendosur në Tiranë prej kohësh. Ikja e tij ishte një vdekje shumë tragjike sepse vdiq menjëherë pas pushtimit italian në moshë të re, kur ishte oficer i ushtrisë shqiptare. Ai s’e pranonte këtë pushtim”, thotë Rexha.

Vdekja e të atit e shënjoi fort jetën e Luan Rexhes sepse u kthye në Itali dhe nga ai moment jetoi me të ëmën e për Shqipërinë nuk mësoi thuajse asgjë deri në 1967, falë disa rrethanave shumë fatlume dhe xhaxhait që ishte funksionar i lartë i Nomenklaturës komuniste. Xhaxhai arriti ta gjente të nipin e ta ftonte në Shqipëri, gjë aspak e lehtë për atë periudhë. Asokohe punonte në Palermo, në Gazetën e Sicilisë.

“Kjo për mua ndodhi 50 vjet më parë, por ishte diçka jashtëzakonisht e rëndësishme sepse në një farë mënyre ishte zgjidhja e një problem identitar personal që gjithmonë e kisha pasur. K0isha një emër dhe mbiemër ndryshe nga fëmijët e tjerë në shkollë. Shokët e mi më thërrisnin vetëm me emër sepse mbiemrin as nuk dinin ta shqiptonin. Për shumë vite unë kam jetuar vetëm me emrin tim të pagëzimit. Falë familjes sime, historive që njoha, zbulova tokën time, marrëdhënien me të që është një marrëdhënie gjaku, që unë kurrë se kisha pasur. Unë e kisha një tokë në Itali, por ajo me Shqipërinë ishte një marrëdhënie e pashpjegueshme gjaku, të cilën e zbulova këtu. Ndjeja që rrënjët e mia ishin këtu. Dëgjoja që fisnin shqip, nga e cila s’kuptoja asnjë fjalë, por më dukej një gjuhë familjare”, shprehet gazetari.

Vizita në Shqipëri që e rëndësishme edhe për një motiv tjetër. “Zgjidha problemin e identitetit personal , por më krijoi problemin e identitetit politik. Unë isha një komunist. Dhe kur pashë për herë të parë një regjim komunist të vërtetë u trondita. Pas dy apo tre vitesh nga ky udhëtim une e braktisa Partinë Komuniste Italiane. Una arrita te vij në Shqipëri dhe artikujt qe shkrova pasi u ktheva ne Itali per gazetën e Siçilisë, disa prej tyre u publikuan edhe nga “Le Monde” në Francë sepse atë kohë këtu nuk vinte askush, përveç gazetarëve nga vendet me të cilat ju kishit marrëdhënie, siç ishte Kina përshembull”.

Pas udhëtimit të parë, Rexha u kthye në Shqipëri disa herë të tjera duke pare rënien e komunizmit dhe tranzicionin e gjatë. Kësaj here në vendlindje e ka sjellë përkthimi i romanit të tij në shqip: “Vdekja i ka sytë e kaltër”.

“Ky libër është para së gjithash një homazh për familjen time dhe kujtesën e tim etj. Ai ka dy tri detaje autobiografike. Së pari personazhi Mikele, një gazetar, ish-militant komunist që zhgënjehet. Ka një lidhje mes Palermos dhe Shqipërisë. Ai ka gjithmonë aspiratën të kthehet në Palermo, në këtë tokë të premtuar, që për mua ishte Shqipëria”, shprehet gazetari Luan Rexha.

Top Channel