Bankat fshijnë kreditë e  këqija

04/02/2017 00:00

Bankat shqiptare kanë fshirë 35 miliardë lekë, ose mbi 255 milionë euro kredi të këqija gjatë dy viteve të fundit. Shifra është bërë publike në programin e reformave ekonomike për periudhën 2017-2019, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Sipas dokumentit, vetëm për periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar, bankat tregtare fshinë 14 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shifër i shtohet 21 miliardë lekëve të tjera që u fshinë në vitin 2015.

Fshirja e kredive të këqija nuk nënkupton faljen e tyre. Bankat vazhdojnë t’i ndjekin ato njësoj si më parë, por thjesht nuk i pasqyrojnë në bilancet e tyre. 

Prej vitesh me radhë bankat private në Shqipëri e kanë patur të ndaluar t’i fshijnë kreditë e këqija pasi nuk ka ekzistuar baza ligjore.

Por në janar të 2015-ës Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, që i detyron ato të fshijnë çdo kredi, që ka më shumë se tre vjet e klasifikuar si e humbur. Kjo masë është pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive të këqija të bashkëfirmosur nga kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori Gent Sejko.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën deri tani, fshirja e huave të humbura, ka qenë një nga shkaqet kryesore për uljen e treguesit zyrtar të kredive me probleme, nga rreth 25 përqind që ishte në shtator të 2014-ës në 18.2 përqind në fund të vitit të kaluar.

Top Channel