S&P: Shqipëria, prespektivë të qëndrueshme për të ardhmen

04/02/2017 00:00

Gjiganti ndërkombëtar i financave, Standard and Poor’s konfirmoi vlerësimin B plus për borxhin e Shqipërisë me prespektiv të qëndrueshme për të ardhmen. Agjencia prestigjoze thekson se rritja ekonomike është forcuar dhe Shqipëria ka patur një ecuri më të mirë fiskale se vendet e ngjashme.

Standard and Poor’s shpjegoi së vlerësimi B plus pasqyron progresin e shënuar në uljen e borxhit, shpejtimin e rritjes ekonomike dhe forcimin e institucioneve.

“Progresi fiskal përkon me përshpejtimin e rritjes ekonomike si dhe me përmirësimin e kuadrit institucional të Shqipërisë”, thotë S&P. 

Sipas standard and Poor’s, e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, qeveria ka vënë në jetë një sërë reformash institucionale gjatë viteve të fundit, duke bërë që Shqipëria të ketë ecuri ekonomike më të mirë se sa vendet e ngjashme me të njëjtin vlerësim.

“Zbatimi i suksesshëm i këtyre reformave do të përmirësojë më tej klimën e biznesit si dhe prespektivën ekonomike të Shqipërisë”, vijon S&P.

Agjencia prestigjoze vlerëson se vitin e kaluar rritja ekonomike u përshpejtua në 3.2 për qind, ndërsa për periudhën 2017-2020 ajo do të jetë mesatarisht 3.8 për qind e udhëhequr nga rritja e konsumit dhe investimeve. për shkak të ecurisë më të mirë të ekonomisë dhe politikës së konsolidimit fiskal Standard and Poor’s parashikon se borxhi do të vazhdojë të ulet në tre vitet e ardhshme duke arritur në 60 për qind e prodhimit kombëtar
“Edhe pse këtë vit ekziston rreziku i rrëshqitjeve fiskale për shkak të zgjedhjeve, ne vlerësojmë se ky rrezik është shumë më i ulët se sa ishte në 2013-ën”, thotë S&P.  

Agjencia tha se mund të përmirësojë vlerësimin nëse rritja ekonomike do të jetë më e lartë nga pritshmëritë dhe mund ta përkeqësojë atë nëse qeveria nuk do i përmbahet angazhimeve fiskale.

Top Channel