Menjëherë pas kthimit nga Prishtina, kreu i qeverisë shqiptare është nisur në një tjetër vizitë zyrtare, në Stamboll ku është takuar për një drekë pune me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë kryeministri Rama ka bërë të ditur lajmin e këtij takimi, në fokus të të cilit duket se është projekti për Aeroportin e Vlorës, linja ajrore shqiptare sikurse edhe investime të tjera strategjike.

Prej kohësh kryeministri Rama e ka cilësuar si domosdoshmëri ngritjen e aeroporteve të reja në jug të vendit, pasi sipas tij marrëveshja e 2004-ës për dhënien me koncension të Aeroportit të Rinasit, që i hoqi mundësinë krijimit të aeroporteve alternative, ishte antikombëtare.

Qeveria ka negociuar vazhdimisht për ngritjen e 3 aeroprteve të tjera në Vlorë, Sarandë dhe Kukës, që pritet t’i japin ekonomisë, kryesisht turizmit, një hov të ri.

Prej tre vitesh, që pas marrjes së pushtetit në 2013, Kryeministri Rama e ka vlerësuar Turqinë si partnerin strategjik të Shqipërisë, ku në çdo takim mes palëve është vlerësuar dhe kërkuar bashkëpunim më intensive dhe konkret mes dy qeverive.

Top Channel mësoi se vizita e kreut të qeverisë shqiptare në Turqi është njëditore dhe Kryeministri do të kthehet në Tiranë të dielën, për të marrë pjesë në homazhet në nder të shkrimtarit Dritëro Agolli, të ndarë nga jeta pasditen e së premtes.

Top Channel