PD: OSHEE mbifaturon qytetarët. Reagon ministri Gjiknuri

04/02/2017 00:00

Partia Demokratike ka shprehur shqetësimin se qytetarët po mbifaturohen me energjinë elektrike. Në një dalje për mediat, Grida Duma thotë se janë mijëra ankesa të ardhura nga gjithë Shqipëria, teksa ka bërë thirrje për protestën e 18 shkurtit.

“Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë, dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër. Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset. Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve”, tha znj. Duma.

Por ka reguar menjëherë pas kësaj deklarate vetë ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në një postim në faqen e tij në Facebook.

“Askush nuk duhet të paguajë për atë që vjedh. Secili paguan atë që konsumon. Gjithëkujt i është krijuar dhe do ti krijohet mundësia të shlyejë detyrimet e prapambetura me këste. Janë 126 mijë konsumatorë që u është dhënë e drejta të përfitojnë nga zerimi i kamatëvonesave në një shumë totale përfitimi prej 155 milion dollarësh”, tha Gjiknuri.

Top Channel