Nis ndërtimi i urës në Bastar i Mesëm, Veliaj: Lehtëson lëvizjen me qytetin

04/02/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e urës së re të fshatit Bastar i mesmës, në njësinë administrative të Zall Bastarit, duke vijuar me investimet në zonat rurale.

Ura e tipit “Bailey” do u shërbejë banorëve të zonës duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe produkteve bujqësore dhe blegtorale, në një kohë kur ndodhet vetëm 22 km larg qendrës së Tiranës.

Kreu i bashkisë Veliaj ishte i pranishëm në inspektimin e punimeve, tha se pas ndërtimit të urës do të nisë puna dhe për rrugën e re që do të lehtësojë komunikimin e kësaj zone me pjesën tjetër të qytetit.

“Dua t’i falenderoj të gjithë kolegët, të cilët janë duke punuar në kushte të vështira të motit, për të fituar kohë dhe pranvera të na gjejë me urën e përfunduar. Mandej, do të vazhdojmë edhe 3.5 km rrugë, buzë lumit, për t’u siguruar që lidhja ka ndodhur përfundimisht. Nuk do të ketë një trajtim ndryshe për ata që jetojnë në ish-Bllok dhe ata që jetojnë në Bastar të Mesëm”, tha ai.

Veliaj theksoi se mirëmenaxhimi i të ardhurave nga ana e Bashkisë së Tiranës, do të përkthehet në më shumë investime dhe punësim për qytetarët. “Do të insistojmë që Bashkia e Tiranës të ketë një buxhet demokratik, i cili shpërndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë anëtarët e familjes, pavarësisht se disa anëtarë të familjes kanë kushte më modeste ekonomike dhe fuqi të paguajnë më pak taksa se disa të tjerë. Sa më shumë taksa të mbledhim, sa më shumë e respektojmë ligjin, sa më shumë bëjmë shtet, aq më shumë ka investime, aq më shumë ka punësim, aq më shumë i rritet vlera Bashkisë së Tiranës. Ndaj, zotimi ynë si socialistë është të bëjmë shtet, të bëjmë qytet, që përkthehet në të mira materiale, në punësim dhe në jetë më të mirë për të gjithë banorët e zonës”, tha Veliaj.

Top Channel