Muri, Prishtina: Pakt për shembjen e tij

04/02/2017 00:00

Qeveria e Kosovës njoftoi përmes një deklarate të saj se është gjetur gjuha e përbashkët për rrëzimin e murit të ndërtuar nga serbët në Mitrovicë. Pakti është arritur siç duket gjatë takimit të Ministrit të Mjedisit, Shala me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, takim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. 

Ditët e fundit, thuhet në deklaratë, me ndihmën e zyrës së BE-së dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, në palët e përfshira jemi pajtuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje polemizuese. Së bashku, kemi dalë në një përfundim, i cili do të ulë tensionet në Veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës.

Ekzekutivi kosovar sqaron se publiku do të informohet gjatë ditëve në vijim mbi planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, që buron nga ujdia në kuadër të dialogut të BE-së, e cila ka të bëjë me projektin e bllokut europian për urën.

Në deklaratë nuk shpjegohet se kur do të ndodhë saktësisht heqja e murit, por sipas disa mediave vendase, rrëzimi mund të ndodhë ndoshta edhe gjatë fundjavës, nëse Rakiç arrin të merret vesh me përfaqësuesit e subjekteve politike serbe, sidomos ata të listës “Srpska”.

Serbët e nisën javën e parë të dhjetorit ndërtimin e murit në pjesën veriore të urës mbi Lumin Ibër, që e ndan Mitrovicën në dy pjesë. Ngritja e tij u kundërshtua ashpër nga Qeveria e Kosovës me argumentin se barriera bie ndesh me lirinë e lëvizjes dhe si i tillë do të shembet duke qenë se nuk është pjesë e planit të Bashkimit Europian për rivitalizimin e urës.

Top Channel