Piloti italian për “Corriere”: Kam gabuar, por nuk jam kriminel

04/02/2017 00:00

Guido Guidi, piloti italian i drogës ka folur për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”. Ai thotë se thjesht duhet të vëzhgonte një pistë që ndoshta do të përdorej për drogën, por nuk është kriminel.

“Doni të dini për Ishmin? Kisha fluturuar dhe më parë në Shqipëri. Në Vlorë. Njoha disa persona, dy shqiptarë në veçanti, murator me objektivin që të bënin para lehtësisht dhe më kishin kërkuar të fluturoja mbi breg dhe të hidhja një sy për ndonjë pistë uljeje, të merrja ngarkesën e drogës dhe të rinisesha. Gabova. Jam penduar. Por ku rje mësuar me një jetesë të mirë, dhe të mos i mungojë asgjë familjes, dhe gjendesh më pas me një mal me fatura, është e vështirë ta pranosh. Përkundrazi, nuk e pranon. E kupton?”, thotë piloti 69-vjeçar për gazetarin e “Corriere”

Teksa gazetari këmbëngul se në atë zonë nuk ka pista dhe se priste narkotrafikantët të ngarkonin drogës, Guidi e mohon: “E gabuar. Droga nuk u gjet. Policia e kërkoi për dy ditë. Ju thashë duhet të shikoja për një pistë. Kishte baltë, nuk arrita të ulem  dhe u përplasa”.

Por gazetari vazhdon të këmbëngulë: Kjo nuk do të thotë që skenari mund të ketë qënë ndryshe nga sa thoni. Ji i sinqertë, Guido.

“Nuk kam punë me trafikantët. Po bëjmë shaka? Dy fëmijët e mi janë të terrorizuar… rrezikoj të mos i shoh më kurrë nipërit e mi… ju lutem… trafikantët… Jam kundër drogës. Ose më mirë, hashashi të legalizohet: Shqipëria e prodhon në mënyrë kriminale. E legalizojmë dhe kështu dëmtojmë trafikantët”, është përgjigjur piloti italian.

Top Channel