Sekuestrohen 24 kg hashash, dy në pranga

04/02/2017 00:00

22 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar hashash, e paketuar dhe gati për shitje, është sekuestruar nga policia në zonën e Mirditës, ndërsa një person përfundoi në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Policia njofton se në operacionin e koduar “Rrjeta” u prangos në flagrancë shtetasi Kostandin Mrrugu, 47 vjeç, banues në Mirditë dhe u shpall në kërkim shtetasi me inicialet E.D., 33 vjeç banues po në Mirditë.

Këta 2 shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë konstatuar në fshatin Tarazh të Mirditës me 22 kg lëndë e narkotike e dyshuar hashash. Droga ishte e paketuar në 20 pako dhe gati për shitje.

Nga ndërhyrja e forcave policore është bërë e  mundur kapja në flagrancë në ikje e sipër e shtetasit Konstandin Mrruku, kurse shtetasi E.D. ka arritur të largohet duke përfituar nga errësira dhe terreni i thyer  malor.

Ndërkohë, në Elbasan policia ka arrestuar një 25-vjeçar, pasi gjatë kontrollit të kryer në një autobus të linjës së Tiranës, iu gjet në çantë sasia prej 2 kilogramësh hashash.

I arrestuari është shtetasi Ermir Skura, 25 vjeç, banues në fshatin Pishkash të Librazhdit, ndaj të cilit rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike.

Top Channel