DASH mbështet ambasadorin Donald Lu

04/02/2017 00:00

Menjëherë pas shkëmbimit të akuzave publike ndërmjet ambasadorit amerikan Donald Lu dhe Kryeprokurorit Adriatik Llalla, ka ardhur edhe reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, për këtë çështje.

Zëdhënësi në detyrë i DASH, Mark Toner komentoi qëndrimet e ambasadorit Lu, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

I pyetur nëse qëndrimet e Donald Lu-së janë personale apo të njëjta me ato të DASH, Toner u shpreh se, “Politika e Shteteve të Bashkuara, në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian dhe kryerjen e reformave të nevojëshme për arritjen e këtij synimi. Kjo përfshin reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

“Ambasadori Lu dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile për të realizuar politikat dhe synimet e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori në Tiranë”, – u shpreh Toner.

Në vijim të intervistës, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka edhe një apel të rëndësishëm për të gjitha partitë politike në Shqipëri.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje me forcë gjithë partive të respektojnë shtetin ligjor dhe procesin demokratik. Shtetet e Bashkuara duan të shohin një Shqipëri të fortë dhe të integruar plotësisht në familjen Euro-Atlantike”, mbylli intervistën e tij, zëdhënësi Toner.

Top Channel