Merkel-Trumpit: Bashkëpunim vlerash, pa diskriminim

03/02/2017 00:00

Bashkimi Europian është i përkushtuar të ruajë një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, bazuar në vlerat e përbashkëta, por lufta kundër terrorizmit nuk e justifikon diskriminimin.

Ky ishte mesazhi që Kancelarja gjermane Angela Merkel i përcolli presidentit amerikan Donald Trump, gjatë samitit të BE-së në Maltë.

“E kam thënë shumë herë dhe po e përsëris. Lufta kundër terrorizmit nuk e justifikon vënien në shënjestër të personave nga vende me besime të caktuara”, tha Angela Merkel.

Për kancelaren, tani më shumë se kurrë Bashkimi Europian duhet të mësojë të mbështetet te vetja, përballë politikave të reja të pasigurta që kanë karakterizuar javët e para të Presidencës së Trumpit.

Ajo u kërkoi anëtarëve të tjerë të unionit të forcojnë e të investojnë më shumë për mbrojtjen brenda kornizës europiane. Edhe pse nuk e përmendi emrin e Trumpit, kjo dukej si një kundërpërgjigje e komenteve të presidentit amerikan për të ardhmen e NATO-s.

Udhëheqësit europianë refuzuan përpjekjet e kryeministres Theresa May për të shërbyer si ndërmjetësuese mes BE-së e Trumpit. Retorikën e tij anti-BE, ata e quajtën mungesë respekti. Korin e kritikave e kryesoi presidenti francez François Hollande, i cili paralajmëroi se marrëdhëniet SHBA-Europë nuk do të kishin një të ardhme, nëse e ardhmja nuk do të përcaktohej në mënyrë të përbashkët.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së përpara samitit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk shkroi se Trumpi i ishte bashkuar Rusisë, Kinës e Islamit radikal, në listën e kërcënimeve për BE-në. Sinjal i ashpërsimit të marrëdhënieve me BE-në është edhe bllokimi i kandidatit të Trump për ambasador në Bruksel, Ted Malloch.

Top Channel