Piratët rusë sulmojnë edhe institucionet norvegjeze

03/02/2017 00:00

Norvegjia është ankuar këtë të premte në lidhje me një sulm kibernetik ndaj disa institucioneve vendase, ndërsa shërbimi norvegjez i sigurisë “PST” dyshon se piratët informatikë kanë lidhje me Rusinë. Partia Laburiste, ministritë e Mbrojtjes dhe të Jashtme, si dhe vet shërbimi i sigurisë ishin mes të prekurve.

Më herët gjatë ditës së sotme Norvegjia njoftoi se kishte zgjedhur gjermanët e “thyssenKrupp” (TKMS), një konglomerat kompanish ndërkombëtare, për t’i dhënë 4 nëndetëse Marinës norvegjeze, si pjesë e një rinovimi të gjerë ushtarak. Lajmi vjen mes tensioneve në rritje mes Norvegjisë dhe Rusisë, që ndahen mes tyre edhe nga një vijë kufitare tokësore.

Të mërkurën, Norvegjia mori në pyetje ambasadorin rus për t’i dorëzuar një notë proteste, pasi dy deputetëve norvegjezë iu refuzuan vizat për të udhëtuar drejt Rusisë. Sipas saj, Moska kishte bllokuar vizat në kundërpërgjigje të sanksioneve të vendosura nga Norvegjia pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, ndërsa e quajti lëvizjen e Kremlinit si “të pajustifikueshëm”.

Deputetë laburistë në opozitë janë ftuar ndërkohë nga Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, informon Ministria e Jashtme e vendit skandinav. Po të mërkurën, shërbimi i sigurisë “PST” paralajmëroi grupin parlamentar të Partisë Laburiste në lidhje me përpjekjet për sulme kibernetike në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

“Ne u informuam nga PST se grupi parlamentar i laburistëve ka qenë prè e një tentative për sulme kibernetike nga një grup, që PST e lidh me shërbimet e huaja sekrete”, tha zëdhënësja e laburistëve, Camilla Ryste. Lajmi detyroi që paralajmërimi të jepej edhe për deputetë të tjerë, që të kenë kujdes në menaxhimin e komunikimeve të tyre elektronike.

Por sot, zyrtarë të shërbimeve sekrete thanë për mediet norvegjeze se 9 llogari “e-mail”-esh ishin sulmuar, përfshi këtu të Partisë Laburiste dhe institucioneve të tjera. Ata thanë se grupi i piratëve informatikë ishte identifikuar si “APT 29”, i njohur ndryshe edhe si “Cozy Bear”, që ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë, “FSB”. Grupi në fjalë është përfolur edhe në lidhje me sulmet ndaj Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC) dhe fushatën zgjedhore amerikane.

Top Channel