Qëllimet e presidentit Donald Trump për të ngritur një mur në kufirin me Meksikën satirizohen në një park argëtues në Hamburg të Gjermanisë.

Muri rreth një modeli 3D të Shteteve të Bashkuara është atraksioni më i ri që i shtohet “Miniatur Wunderland”-it, “mrekullisë në minitaturë” që shpalos qytete e monumente të famshme në maket.

I kompletuar me tela me gjemba të rreme, muri mban gjithashtu mesazhin “lëreni botën të jetë sërish e mrekullueshme”. Pjesët e reja u vendosën në fillim të javës rreth maketit prej 1.000 metrash katrorë, ku ndër të tjera përfshihen Grand Canyon, Las Vagas, Miami, Cape Canaveral dhe të tjera atraksione e qytete amerikane.

“Mendoj se SHBA, ashtu si vende të tjera po izolohen. Kështu menduam të ndërtojmë këtë mur si simbol i kësaj ideologjie”, tha Gerrit Braun, bashkëthemelues i parkut.

Shumë turistë amerikanë u joshën për të parë nga afër atë që me shumë gjasa do të bëhet pjesë e së ardhmes së vendit.

“Mendoj se këndvështrimi humoristik është pikërisht ajo që i duhet botës në këtë moment për të përballuar atë që po ndodh në vendin tonë”, tha Ryan Ott, turist amerikan.

“Miniatur Wunderland”, një prej atraksioneve më të mëdha të llojit të vet në botë, pozicionohet në distriktin historik të Speicherstadt në Hamburg.

Top Channel