“Lufta” për Lojërat Olimpike, Budapesti kërkon Olimpiadën e 2024-s

03/02/2017 00:00

Do të duhet shumë punë dhe lobim politik, përveç projektit mbresëlënës sportiv, që Lojërat Olimpike të rikthehen për herë të parë në Europën Lindore, në erën postkomuniste.

Budapesti ka finalizuar përgatitjet për të bindur Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), mbi planet për të organizuar turneun e vitit 2024, që mbledh më të mirët e të gjitha disiplinave. Mbetet një garë e fortë mes 3 qyteteve që i kanë mbijetuar luftës sportive, por Hungaria ka një rivalitet të fortë me Parisin dhe Los Angelesin.

Qeveria hungareze dhe Bashkia e Budapestit mbështesin kandidaturën, por së fundmi u refuzua një referendum për të pyetur qytetarët. Plebishitet janë të rrezikshme zakonisht për kandidaturat olimpike, pasi Hamburgu u tërhoq nga gara në vitin 2015 për një arsye të tillë, ndërsa Roma iu largua planeve pas premtimeve të kryebashkiakes në fushatë.

Lojërat Olimpike janë një sforcim i madh ekonomik dhe historia e ka konfirmuar, por kanë përfitime të mëdha në plane afatgjata, edhe pse jo të gjithë kanë mbresa. Në Budapest, një alternativë e re politike e quajtur “Lëvizja e Momentit” ka mbledhur mbi 100 mijë firma për tërheqjen nga plani për Lojërat Olimpike të vitit 2024.

Top Channel