Këshilli i Europës, Donald Tusk kërkon një mandat të dytë

03/02/2017 00:00

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk u ka thënë udhëheqësve të BE-së këtë të premte se, ai është i gatshëm të shërbejë për një mandat të dytë si kryetar, pasi mandati aktual skadon në fund të muajit maj.

Kryesimi i takimit të udhëheqësve është një prej detyrave më me ndikim të Bashkimit Europian dhe, nëse rizgjidhet, Tusk do të ketë një rol kyç në bisedimet për “Brexit”-in, sapo Britania e Madhe të aktivizojë klauzolën për divorc, duke u bërë shteti i parë që largohet nga BE-ja.

“Pasi fola me shumë udhëheqës që shprehën mbështetjen e tyre, informova se jam i gatshëm të vazhdoj punën time. Por kjo do të varet nga vendimi i të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive”, tha për reporterët Tusk, ish-kryeministër i Polonisë, pas samitit të 28 udhëheqësve të BE-së në Maltë.

Krerët e BE-së mund të vendosin për udhëheqësin e ri qoftë duke votuar në unanimitet, ashtu edhe me një shumicë që refuzonte veton e ndonjë shteti.

Malta, e cila mban aktualisht presidencën gjashtëmujore të BE-së, do të zhvillojë konsulta nëse do t’ia zgjasin mandatin Tuskut, vendim që pritet të merret jo më vonë sesa fillimi i marsit.

Deri më tani, i vetmi vend që kundërshton hapur një mandat të dytë për politikanin e qendrës Tusk, një mandat 30-mujorsh, është vendlindja e tij Polonia, e cila tashmë qeveriset nga partia nacionaliste e rivalit të tij të betuar, Jaroslaë Kaczynski.

Tusk, 59-vjeçar, ka pikëpamje proeuropiane dhe një marrëdhënie të mirë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, udhëheqësen më të fuqishme të BE-së.

Zyrtarët e BE-së thonë se, nëse diskutohet mbi një kandidat alternativ ndaj Tuskut, kjo do të shtonte më shumë përçarjen brenda bllokut, teksa ky i fundit përballet me një seri sfidash, që fillojnë me një Rusi më agresive dhe mbarojnë te militantizmi islamik.

Kreu i një fraksioni të majtësh në Parlamentin Europian, gjithsesi tha se ligjvënësit e tij do të përpiqen ta rrëzojnë Tuskun dhe të vendosin në krye të Këshillit të Europës një politikan të qendrës së majtë.

Ndërkohë në Poloni, Kaczynski ka thënë se Tusk është një “problem” dhe se kurrsesi nuk duhet ta gëzojë mbështetjen e Varshavës. Tusk ka shërbyer si kryeministër i Polonisë në vitet 2007-2014. Platforma Qytetare e tij u mposht nga euroskeptikët e Kaczynskit, partia për “Ligj dhe Drejtësi” në tetor të vitit 2015.

Top Channel