Balili, Nishani kërkon koordinim të punës së institucioneve

03/02/2017 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, e premtja ishte një ditë intensive për politikën shqiptare. Mëngjesi i së premtes nisi me një takim në Kryesinë e Kuvendit, ku kryeprokurori Adriatik Llalla, një ditë pas replikave me ambasadorin Lu, u thirr në një takim nga kryeparlamentari Ilir Meta. Burime thonë për Top Channel se takimi ishte informues.

Në orën 11, vëmendja u zhvendos në Presidencë, aty ku Petrit Vasili, në prani të kreut të shtetit dhe zv.kryeministrit Niko Peleshi, u betua si ministër i ri i Drejtësisë.

Vasili qëndroi atje për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, ndërsa Peleshi u largua. Atij i ishte refuzuar pjesëmarrja në vend të kryeministrit Rama.

Në takim morën pjesë drejtues të lartë të disa institucioneve dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, si ministrat Tahiri, Vasili, Kodheli, por edhe drejtuesit e policisë dhe ushtrisë. I pranishëm ishte edhe Prokurori i Përgjithshëm Llalla dhe shefi i Shërbimeve Sekrete, Visho Ajazi-Lika.

Për dy orë është diskutuar për çështjen e Klemend Balilit. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk komentoi, por Presidenca njoftoi se kreu i shtetit ka vënë theksin te fakti se shqetësimi i ngritur është serioz dhe legjitim, dhe se çështja “Balili” ka kaluar përmasat individuale dhe është kthyer në një problem edhe për fqinjët e aleatët e Shqipërisë.

Kryeparlamentari Ilir Meta nënvizoi dhe njëherë argumentin se çështja “Balili” ka tërhequr edhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pasi të gjithë të pranishmit kanë raportuar mbi veprimet e ndërmarra për këtë çështje, kreu i shtetit ka kërkuar koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rritje të përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese, në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale.

*** Njoftimi i Presidencës

Zyra e shtypit e Presidencës ka zbardhur detaje nga biseda e zhvilluar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga kreu i shtetit me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në lidhje me çështjen e Klement Balilit dhe atë të kultivimit të kanabisit në vend.

Sipas një njoftimi për shtyp, presidenti i Republikës theksoi që në fillim të takimit se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim dhe i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese, të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.

“Çështja ‘Balili’ shkon përtej nivelit kombëtar dhe i tejkalon përmasat individuale, sepse ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate. Për këtë arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese”, u shpreh presidenti Nishani.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e tij argumentoi kërkesën drejtuar kreut të shtetit për të thirrur mbledhjen me faktin se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik, sipas tij me ndjeshmëri të lartë, por ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve strategjikë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Metës, faktori ndërkombëtar ka ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, dukuri që, siç tha ai, kanë dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit.

Më pas të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese, në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë, për të luftuar në mënyrë sa më efikase krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Në mbyllje, presidenti Nishani e vuri theksin tek rëndësia dhe domosdoshmëria e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke vlerësuar nismën e ndërmarrë nga kryetari i Kuvendit. Ai i falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre, sipas njoftimit për shtyp, “produktiv dhe konstruktiv”.

“Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike, komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deritanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave, por dhe për vetë faktin që partnerët tanë dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare kanë shprehur disa herë shqetësimin. Kjo ilustron përmasat e mëdha që çështja mbart, jo vetëm duke cënuar sigurinë tonë kombëtare, por duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narkotrafikut, por edhe tek nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm të të gjitha institucioneve ligjzbatuese, në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale”, u shpreh Nishani.

Top Channel