Përmes një deklarate të shkurtër për shtyp, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, ia dha përgjigjjen letrës së gjashtë kongresmenëve republikanë që kërkonin shkarkimin e ambasadorit të SHBA-së në Shkup nën pretendimin se ka bashkëpunuar me Fondacionin e George Sorosit.

Politika e Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, sqaroi Toner, është të mbështesë integrimin euro-atlantik të vendit dhe reformat e nevojshme për përmbushjen e këtij qëllimi.

Ambasadori Baily dhe ekipi i tij nga sa pohon zëdhënësi, kanë bërë pikërisht këtë, kanë bashkëpunuar me autoritetet maqedonase dhe me shoqërinë civile atje për avancimin e politikave dhe objektivave të SHBA-së.

“Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori ynë në Maqedoni. Si mike e Maqedonisë, SHBA i nxit me forcë të gjitha palët që të respektojnë shtetin ligjor, proceset demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare të Maqedonisë. Ne duam të shohim një Maqedoni të fortë në rrugën e  saj drejt anëtarësimit në familjen euro-atlantike”, thuhet në deklaratën e Mark Toner.

Anëtari i Kongresit, Kristofer Smith paralajmëroi më herët hetim për politizimin e rolit të Ambasadës Amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje Sekretarit të sapoemëruar të Shtetit, Reks Tillerson që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli.

Smith i ka kërkuar që nga mesi i janarit ambasadorit Bejli shpjegime mbi akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të Sorosit në këtë vend.

Duke qenë se përfaqësuesi i shtetit amerikan nuk iu përgjigj letrës, atëherë Smith, i cili është zv/kryetar i Komisionit të Kongresit për Çështjet me Jashtë dhe kryesues i Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, doli me pretendimin se nevojitet një hetim i thellë i aktiviteteve të përfaqësisë diplomatike amerikane në Maqedoni.

“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit”, citohet të ketë thënë Smith për Radio Televizionin e Maqedonisë. Por Bejli, vazhdon ai, është treguar i anshëm e duhet të shkarkohet menjëherë.

“Dëshirojmë të zbulojmë gjithçka dhe për këtë arsye kërkojmë nga inspektori i përgjithshëm të dorëzojë raport. Në qoftë se e kanë shkelur ligjin, do të përgjigjen”, ishte deklarata e kongresmenit republikan.

Top Channel